Shkolla 9-Vjecare Kastriot Diber
SHkolla 9-vjecare Kastriot Forum - Welcome

Mire se vini ne kete web dhe forum, Ju ftojme qe te Regjistroheni, ne menyre qe te keni aksese ne te gjitha kategorit dhe temat, ne programe,diskutime,kuriozitete, dhe Lajmet me te reja nga vendi dhe bota.

Regjistreohuni qe te keni mundesi te shkarkoni programe.
Stafi.


Palmerston: Ishulli në fund të botës

Shko poshtë

Palmerston: Ishulli në fund të botës

Mesazh nga Mufit Kaloshi prej Mon Mar 10, 2014 8:09 pm

Ai është ishulli që gjendet më larg nga të gjithë ishujt. Mijëra kilometra larg tokës më të afërt, asnjë avion nuk ulet atje dhe vetëm një anije shkon dy herë në vit. Të 62 banorët e ishullit kanë një stërgjysh të përbashkët

Thomas Martienssen, BBC

Ai është një nga komunitetet ishullore më të izoluara të botës. Ishulli i vockël Palmerston në oqeanin Paqësor vizitohet nga një anije furnizimi dy herë në vit dhe udhëtimi i gjatë e i rrezikshëm ndalon çdokënd me përjashtim të vizitorëve më të vendosur.


Për më tepër, shumica e 62 banorëve të ishullit kanë vetëm një paraardhës, një anglez që u vendos këtu 150 vjet më parë. Nëntë ditë lundrimi të vazhdueshëm. Nëntë ditë mbi një varkë, pa qenë në gjendje të ndalosh. Nëntë ditë me frikën se mund të goditesh nga një stuhi tropikale, mijëra milje larg tokës më të afërt. Oqeani Paqësor është i madh. Shumë më i madh nga sa imagjinohet. Ky është një udhëtim drejt ishullit në fund të botës.

Pjesë e ishujve Kuk, Palmerston është një grusht ishujsh të vegjël të lidhur me një barrierë koralore që rrethon ujërat e qeta të një lagune qendrore. Por brenda kësaj hapësire koralore ka shumë shkëmbinj që e bëjnë të pamundur uljen në lagunë të avionëve ujorë. Ishulli gjendet gjithashtu tepër larg për t’u arritur me një helikopter. Deti është rruga e vetme për atje.

Kështu, udhëtimi nuk është aspak i lehtë. Pas dy ditësh fluturimi – nga Londra përmes Los Anxhelosit – ne nisemi me varkë nga Tahiti. Pas pesë ditësh udhëtimi me jahtin tonë të vogël, retë bëhen të zeza dhe kërcënuese. Fuqia e diellit ka ikur dhe një freski shqetësuese varet në ajër. Një valë e papritur shiu të dendur godet një anë të varkës. Një seri rrufesh përplasen mbi det.

Me velën në lartësi të plotë, fuqia e erës na shtyn ne plot 60 gradë. Nuk kemi ndonjë gjë në dorë për ta bërë sapo vela ulet – varka është tërësisht në mëshirë të fatit.

Dhe nuk ka asnjë mundësi për të marrë ndihmë. Përgjatë nëntë ditëve në det ne nuk shohim asgjë veç detit. Nuk ka anije, nuk ka jetë, asnjë avion. Nuk ka asgjë.

Ky udhëtim ekstrem parandalon të gjithë me përjashtim të vizitorëve më të vendosur për të mbërritur në Palmerston, një parcelë e vogël e gjelbër e rrethuar nga mijëra kilometra oqean.

Lartësia e vogël e ishullit do të thotë se ai nuk është i dukshëm derisa afrohesh 3 kilometra dhe në kohë të keqe thjesht është e pamundur të shihet. Përgjatë viteve, dhjetëra apo ndoshta qindra varka janë përplasur me barrierën koralore që gjendet vetëm pak poshtë dallgëve. Mbytja e fundit ndodhi tri vite më parë, varka gjendet ende në plazh me një vrimë të madhe në njërën anë.

Disa pjesë të këtyre anijeve – motorët, druri etj., janë marrë nga banorët për t’u ripërdorur. Asgjë nuk shkon dëm këtu. Të mësosh se si të lundrosh përmes kësaj barriere natyrore në mënyrë të sigurt kërkon shumë vite stërvitje. Edhe varka me të cilën ne arritëm, thjesht dhjetë metra e gjatë, qëndroi 500 metra larg plazhit për të shmangur goditjen e koralit.

Ndërsa ne më në fund pas shumë manovrash i afrohemi Palmerstonit, një varkë e vogël me motor na afrohet, duke na drejtuar rrugën.

“Përshëndetje, përshëndetje, unë jam mikpritësi juaj. Lidhni varkën tuaj këtu, ne do t’ju dërgojmë në breg ku ju mund të hani drekë. Unë do të kujdesem për ju këtu”, thërret Bob Marsters, i cili ka të veshur një bluzë hauajane blu dhe të gjelbër, një kombinim pothuajse perfekt me ujin e kthjelltë të detit.

Bobi është kreu i njërës prej tri familjeve në ishull. Ata konkurrojnë për një grusht jahtesh që vijnë në ishull çdo vit dhe fituesit e kësaj gare ofrojnë shërbimet për vizitorët. Banorët krenohen për kujdesin e treguar për turistët.

Kjo mikpritje dhe traditat e ishullit janë kaluar mes gjeneratave përmes trashëgimisë orale. Të gjitha këto rrjedhin nga trashëgimia e një njeriu të lindur në Angli, 15 mijë kilometra larg.

Uilliam Marsters qe banori i parë i përhershëm i Palmerston 150 vjet më parë. Tregohet se ai udhëtoi me anijen e kapitenit Kuk (Cook) si karpentier. Por ndërsa eksploruesi i famshëm vdiq më 1779, në fakt Uilliam lindi rreth vitit 1830.

Marsters jetoi në ishujt Kuk nga 1850 deri më 1860, kur ai u emërua kujdestar nga Palmerston në atë kohë nga pronari i ishullit, një tregtar britanik me emrin Xhon (John) Brander. Ai iku në këtë ishull i shoqëruar nga gruaja e tij polineziane dhe dy kushërira të saj.

Ai e mbuloi ishullin me palma dhe përgjatë viteve të para, anijet e Brander ndalonin aty çdo gjashtë muaj për të mbledhur vajin e kokosit që ai prodhonte. Por pastaj vizitat u rralluan, filluan të kryhen një herë në vit, derisa ndaluan. Xhon Brander pati vdekur.

Marsters fitoi posedimin e Palmerston nga Mbretëresha Viktoria. Kushërirat e bashkëshortes së tij qenë bërë bashkëshorte gjithashtu dhe të tria patën 23 fëmijë. Para se të vdiste më 1899, ai e ndau ishullin në tri pjesë, një për secilën nga gratë. Sot. Të gjithë me përjashtim të tre banorëve janë trashëgimtarë direkt të Uilliam.

Ndërsa i afrohemi ishullit, zbulojmë se ai është i bukur deri në absurditet. Peshqit me qindra notojnë poshtë varkës dhe ndërsa uji qartësohet më tej, një peshkaqen kalon me një peshk nën dhëmbë.

“Mirë se vini në botën time, një tokë rëre të bardhë dhe kokosi. Asgjë nuk shkon keq në Palmerston”, thotë Bob ndërsa ne arrijmë në shtëpinë e tij të mbuluar me një çati teneqeje.

“Djalosh, sillu këtyre miqve një kokos, duhet një pije”. Djali i Bob çan një arrë kokosi të madhe duke përdorur hanxhar dhe e ul në karrige plastike.

“Ju e dini se unë e dua këtë vend, të gjithë njerëzit që janë duke luftuar duhet thjesht të vijnë në Palmerston e të bëjnë një dorë not, të luajnë volejboll”, thotë Bob. “Nuk ka nevojë për të gjitha ato luftëra e vrasje, askush nuk po lufton këtu”.

Unë dëgjoj erën që rrjedh mes gjetheve të palmave. Pastaj, në një nga momentet më sureale të jetës sime, i rrethuar nga mbi 3 mijë kilometra oqean, dëgjoj banorët e ishullit që kanë vënë në altoparlant muzikën e tyre të parapëlqyer, “Bum, bum, bum Vengabojs po vijnë”. Kjo është kënga dalluese e grupit pop Eurodance nga Amsterdami.

Zyrtarisht Palmerstoni është një protektorat i Zelandës së Re. Këtu mbërrijnë shumë gjëra moderne që ne i marrim për të mirëqena. Shtëpitë, energji elektrike për disa orë në ditë, internet, gjithashtu për disa orë në ditë dhe për pak fatlumë, edhe sinjal telefoni celular.

Megjithatë, banorët e Palmerstonit nuk kanë dyqane, vetëm dy banja dhe uji mblidhet për t’u pirë. Paraja përdoret vetëm për të blerë furnizime nga bota e jashtme, jo mes njëri-tjetrit.

“Kjo është një nga gjërat për të cilat jam krenar me familjet që jetojnë në Palmerston – ne punojmë së bashku, duam njëri-tjetrin dhe ndajmë gjërat”, thotë Bob.

“Për shembull, kur mua më mbaron orizi apo mielli, thjesht duhet të shkoj te dera ngjitur dhe nëse kanë, do të m’i japin. Jam shumë i lumtur që njerëzit nuk shesin gjëra këtu. Anija e furnizimit nuk ka ardhur që prej gjashtë muajsh, por ne nuk qahemi për orizin apo mishin, ia dalim me arrat e kokosit dhe peshkun. Por kur vjen anija, ajo është si ditë Krishtlindjesh”.

Bobi është kryebashkiaku i Palmerston dhe jeton në njërin cep të rrugës kryesore. Është një rrip rëre jo më shumë se 100 metra i gjatë ku gjenden disa shtëpi. “Kjo është rruga kryesore, nuk ka stacione autobusësh, nuk ka autobusë për të pritur në Palmerston”, thotë Bobi me gjallëri.

Në anën e djathtë të rrugës gjendet krenare kisha. Ajo është qendra e jetës komunitare. Ajo është gjithashtu edhe një nga ndërtesat më të reja në ishull. E lyer e bardhë, kambana që varet në verandë është një nga ato gjërat e shpëtuara nga mbytja e një anijeje. Ajo është edhe gjëja e vetme që është ruajtur nga kisha e vjetër.

Për shkak se nuk ka tokë tjetër për mijëra milje përreth, Palmerston merr goditjen e plotë nga çdo stuhi. Kështu që banorët i lidhin shtëpitë e tyre me pemët përreth. Më 1926, një tajfun u përplas në ishull dhe dallgët, thonë ato, e shkulën nga themelet kishën e vjetër.

“Dallgët u përplasën me ndërtesën këtu”, shpjegon Bob, duke treguar shtëpinë e vjetër të Uilliam Marsters, e cila është më shumë se 7 metra e lartë.

“Kisha qe vendosur mbi një koral dhe ajo u zhvendos 200 metra në brendësi të ishullit, e gjithë ndërtesa. Baballarët dhe nënat tona e kthyen ndërtesën në vend duke e lëvizur me anë të arrave të kokosit të vendosura poshtë saj”.

Ka një ritëm jete në ishull gjatë të dielave. Kambana bie për të mbledhur kristianët në meshë në orën 10 dhe nuk lejohet puna apo loja deri në orën 2 pasdreke. Pas kishës është koha për të ngrënë. Si mik, mua më japin një tavolinë të tërë. Ka katër qypa përpara – ka peshk, oriz, pulë dhe pastë të ëmbël. Katër fëmijët e Bobit shohin nga tavolina ime. E gjithë familja duhet të presë derisa miku të fillojë të hajë.

Por pas 30 sekondash, Bobi fillon me ushqimin. “Normalisht unë do të prisja, por ju jeni miku im. Ne e njohim njëri-tjetrin shumë mirë për të pritur. Ha”, më porosit ai. “Dua që të bëhesh aq i shëndoshë sa vështirë të hipësh sërish në varkë! Do të të duhet të dobësohesh sërish pasa se të nisesh. Qëndro në Palmerston më gjatë”.

Ushqimi është një pjesë e madhe e jetës. Peshkimi merr pjesën më të madhe të ditës për shumë banorë dhe si vizitorë, është e pamundur të ecësh ndokund pa të ofruar një drekë tjetër.

Vëllai i Bobit, Billi, është ai që ofron shumë dreka, një anëtar i këshillit dhe një peshkatar krenar.

“Peshqit po pakësohen”, thotë ai. “Më parë ne kishim qindra peshq, por jo më. Tashmë nuk është e lehtë”.

Stoku i peshkut të tyre të parapëlqyer po pakësohet më me shpejtësi sesa të tjerët. Kështu, Billi zgjat kokën te barriera nëpër dallgë në kërkim të një peshku tjetër. Pas dy orësh përpjekje, dalin vetëm dy peshq, një barrakudë dhe një skombri.

“Këshilli i mëparshëm në vitet ’90 ndaloi gjuetinë e peshkut papagall për dy vjet”, tregon Bull, “por gjashtë muaj më vonë, dikush tha, ‘kemi nevojë për para për Krishtlindje’. Dhe kështu iu rikthyen peshkimit. Nuk kemi shumë gjëra në dorë, pasi marrim shumë kundërshtime. Çdo gjë që ne u themi njerëzve, ata thjesht na injorojnë”.

Peshku është ushqimi bazë i ishullit dhe eksporti i tyre i vetëm. Një ose dy tonë peshk papagall ngrihen dhe mblidhen nga anija e furnizimit, e cila vjen dy herë në vit për të sjellë ushqimet bazë si orizin apo naftë. Por në disa raste anija nuk vjen fare.

Largësia e ishullit krijon edhe probleme të tjera. Gjëra të tilla si vajtja te dentisti bëhet një ekspeditë e gjatë. Kur 92-vjeçarja Mama Aka, banorja më e vjetër e ishullit, shkoi për dentist në Rarotonga, kryeqendra e Ishujve Kuk, iu deshën katër ditë udhëtim. Por pas një procedure të shkurtër, asaj iu desh të priste gjashtë muaj për një anije që ta kthente në shtëpi.

Por ndërsa për disa ky izolim është një nga gjërat më të mira në jetën e Palmerston, në mënyra të tjera ai është një kërcënim. Kjo për shkak se të gjithë, me përjashtim të dy mësuesve dhe një infermiereje, janë kushërinj me njëri-tjetrin.

Billi pati gjashtë fëmijë me gruan e tij të parë, një grua për të cilën mendonte se qe kushërirë e dytë. Por në fakt ajo qe kushërirë e parë. Ajo i qe dhënë një familjeje tjetër për t’u rritur, një praktikë e zakonshme në ishull për familjet në nevojë.

“Kam dëgjuar se nëse martohesh me një kushërirë, kjo do të ketë pasoja te fëmijët”, thotë ai. “Por nuk e besoja këtë derisa mbërriti fëmija i pestë. Gjithçka qe në rregull derisa u bë gjashtë muajsh. Shkuam në Zelandën e Re për mjekime, por mjekët nuk kishin çfarë të bënin. Babai i saj dhe babai im qenë vëllezër. Unë nuk e dija dhe kur e mësova, sakaq kishim shumë fëmijë”.

Për disa, izolimi i Palmerston është një arsye për të ikur. Mes viteve 1950 dhe 1970, popullata arriti deri në 300 vetë, por tashmë kanë mbetur vetëm 62. Një e treta e popullsisë janë fëmijë, të cilët duken të shëndetshëm dhe të lumtur ndërsa shkojnë në shkollën e ishullit. Por shumë prej tyre shpresojnë të ikin nëpër qytete mijëra kilometra larg, ku kushtet e jetesës janë më të mira dhe, ndoshta më e rëndësishmja, ka më shumë mundësi për t’u martuar jo me kushërinj.

Kur Mama Aka po rritej, disa njerëz ende martoheshin me gjysmëmotrat apo gjysmëvëllezërit e vet. Por fëmijët e sotëm po kërkojnë edhe më larg.

“Ndoshta kanë në plan të martohen jashtë ishullit”, thotë ajo. “Vetëm disa prej tyre do të kthehen”.

Rruga kryesore është qendra e jetës në ishull dhe mjedisi ku bëhen ceremonitë. Ajo rrugë ka emrin e Dukës së Edimburgut, Princit Filip. Mama Aka si banorja më e vjetër e ishullit, mban mend ditën në fillim të viteve 1970 kur jahti mbretëror Britania mbërriti në barrierën koralore të Palmerston. Duka doli për not dhe vendi ku u zhyt njihet sot si pellgu i Dukës.

“Kur doli në breg, ne festuam”, thotë Mama Aka. “Dhe çdo vit më 28 shkurt çdokush merr një ditë pushim për të përsëritur atë festë. E fillojmë me një meshë dhe pastaj çdo familje përgatit tryezën me ushqime. Ne ushqehemi dhe këndojmë”, thotë ajo.

Gjashtëmbëdhjetëvjeçarja Shekinah Marsters dëshiron të bëhet avokate. Ajo mund të bëhet vajza e parë në ishull që shkon në universitet dhe madje mund të ketë shans të studiojë në Harvard.

“Desha të shkoj në Zelandën e Re për universitet, por tashmë kam dëgjuar se ka ca mundësi edhe në Amerikë”, thotë ajo. “Unë dua të bëj karrierë, por dua gjithashtu të kthehem në Palmertston që do të mbetet gjithmonë shtëpia ime. Dua të kthehem kurdo që të kem mundësi, por karriera është më e rëndësishme”.

Ajo aktualisht studion anglisht, algjebër, histori amerikane. Shpreson të studiojë ligj. Të gjitha këto janë pjesë e një programi kristian të të mësuarit në shtëpi. Ajo ka kaluar një periudhë shkollore edhe në Zelandën e Re: “Ka më shumë mundësi atje, më shumë gjëra për të bërë, më shumë miq. Qëkur shkova atje, dëshiroj të kthehem. Nuk është se mërzitem këtu, por diskurajohem. Unë notoj, peshkoj, luaj kitarë dhe flas, kjo është e gjitha”.

Palmerston ka qenë gjithmonë një vend ku njerëzit vijnë dhe ikin, por disa që deshën ta vizitonin, e patën të vështirë të largohen. Kjo i ndodhi Viktor Klarkut (Victor Clark) kur varka e tij u mbyt në barrierën koralore dhe atij iu desh të qëndrojë nëntë muaj në ishull derisa ajo u riparua. Ai shkroi një libër mbi udhëtimet e tij. Kur vdiq në moshën 97-vjeçare, vajza e tij, Rosa, e bëri udhëtimin e gjatë drejt Palmerston për të shpërndarë hirin e tij në ishull.

“Koha e tij në ishull qe pjesa më e pëlqyer e jetës”, thotë ajo. Dhe një vit pasi mbërriti, Rosa është ende në ishull. “Aventura ime këtu ka qenë e jashtëzakonshme, megjithëse jo e planifikuar. Unë mendova se do të vija për një vizitë të shkurtër para se të kthehesha te jeta e zakonshme prej miu”.

Gjatë vizitës, asaj iu kërkua të përkujdesej për fëmijën e vetëm në ishull me nevoja të posaçme, një fëmijë që ka ADHD. “Fillimisht refuzova, pasi nuk e imagjinoja veten të jetoja në një ishull të vogël kaq larg jetës. Por pastaj kuptova – kjo qe çfarë po bëja në Britani, do të qe shumë egoiste ta lija këtë tetëvjeçar që nuk mund të shkojë në shkollë. Këta janë një komunitet shumë i orientuar nga familja. Është shumë bukur. Unë kam mësuar shumë gjëra mbi afërsinë mes njerëzve këtu”.

Në ditët kur nuk ka shkollë Rosa bashkohet me gratë e tjera për të prodhuar kapele tradicionale apo kosha me gjethe palme. Akoma më shpesh grupi dëgjohet duke kënduar apo duke qeshur së bashku.

Banorët duket se kanë një jetë të mirë. Ditët janë të gjata dhe orët e punës të shkurtra. Siç thotë Bob: “Je i lirë të bësh çfarë të duash”.

Pasdreke, fëmijët e shkollës shkojnë të notojnë apo të luajnë volejboll, ndërsa disa burra mblidhen te televizori i vetëm në ishull për të parë lajmet për regbi.

Në të gjithë këtë, alkooli nuk ka ndonjë rol të veçantë. Derisa të vijë anija tjetër, në ishull nuk ka alkool. Në disa raste bëhet birrë, por vetëm për raste të posaçme. Eduardi (Edward) është polici i vetëm në ishull dhe ndoshta polici më i papunë në planet.

Pyes një banor se çfarë do të ndodhë nëse dikush vjedh një arrë kokosi. “Do të mbush një karrocë dhe do t’ia jap”, thotë ai. “Dukshëm ai duhet të ketë nevojë, por është tepër krenar për të kërkuar”.

Kështu, me kaq shumë kohë të lirë, Eduardi bën gjëra. Ai është veçanërisht i aftë për të prodhuar kitarë hauajane.

Ndërsa unë përgatitem për të ikur, Eduardi dhe vëllai i tij, Sajmon (Simon), këndojnë këngën e lamtumirës. Ajo këngë flet për udhëtimin e Uilliam Marsters për në Palmerston një shekull e gjysmë më parë, kur ai i tha lamtumirë i lumtur qytetit të Londrës.

Ndërsa ne bëhemi gati për të ikur, Bobi shfaqet me një kosh me peshq, Ai ka qenë më me fat sesa Billi me peshkimin e tij dhe po e ndan peshkun nëpër të gjithë ishullin. “Ne ndajmë gjithçka me familjet tona”, thotë ai duke na dhënë dy peshq për udhëtimin e kthimit.

Ne kalojmë shtegun përmes barrierës. Është një udhëtim që shumë të rinj në ishull do ta bëjnë përgjatë viteve të ardhshme. Pyetja është, sa prej tyre do të kthehen?



Banori i parë, Uilliam Marsters

Lindur në Britani rreth vitit 1831.

U martua me Akakaingaro (e njohur si Sara), vajza e një udhëheqësi të ishujve Kuk.

U martua edhe me dy kushërira të saj, duke krijuar tri familje.

U zhvendos në Palmerston si kujdestar më 1863 dhe mbolli ishullin me pemë palme për të prodhuar vaj kokosi.

Iu fal posedimi i Palmerston nga Mbretëresha Viktoria më 1892 pas një beteje të gjatë.

Vdiq nga kequshqyerja më 1899, pasi palmat e tij u shkatërruan nga sëmundja.
G.shqip
avatar
Mufit Kaloshi
Admin

Numri i postimeve : 326
Join date : 13/01/2013

Shiko profilin e anëtarit http://kastrioti.forumativo.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi